04.08.2026.

U.d. drejtori i Shërbimit të Trupit Koordinues bisedoi me kryetaren e Komunës së Preshevës për fushatën informuese mbi pasivizimin e adresave

  • In Lajme
  • 4. August 2026.
  • 8 Views
U.d. drejtori i Shërbimit të Trupit Koordinues bisedoi me kryetaren e Komunës së Preshevës për fushatën informuese mbi pasivizimin e adresave

U.d. drejtori i Shërbimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitrović, u takua sot me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryetari i komunës, Ragmi Mustafa. Tema e bisedës ishte realizimi i fushatës informuese për procedurën e pasivizimit të adresave, të cilën Shërbimi i Trupit Koordinues e zbaton në kuadër të Planit të Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029.

Gjatë takimit u prezantuan aktivitetet që do të realizohen në territorin e Komunës së Preshevës, me qëllim që qytetarëve t’u sigurohen informacione në kohë, të qarta dhe të verifikuara për procedurën e pasivizimit të adresave, të drejtat e tyre dhe procedurat ligjore që kanë të bëjnë me paraqitjen dhe riparaqitjen e vendbanimit.

Mitrović theksoi se një nga qëllimet kryesore të fushatës është që qytetarëve t’u afrohen procedurat që kanë të bëjnë me pasivizimin e adresave, si dhe që ata të njihen me mundësitë e riparaqitjes së vendbanimit në rastet kur adresa është pasivizuar. Theks i veçantë iu kushtua edhe informimit parandalues të qytetarëve, në mënyrë që ata të njihen me rrethanat të cilat, në përputhje me ligjin, mund të çojnë në pasivizimin e adresës.

Në kuadër të fushatës është përgatitur material informues në gjuhën serbe dhe shqipe, i cili përfshin broshura, postera dhe bilborde. Broshurat përmbajnë një pasqyrë të procedurës së pasivizimit të adresës, të drejtave dhe detyrimeve të qytetarëve, procedurës së riparaqitjes së vendbanimit, si dhe informacione për mjetet juridike në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Posterët do të vendosen në institucionet publike, ndërsa bilbordet tashmë janë vendosur në lokacione të frekuentuara në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

“Informimi i qytetarëve është parakusht për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Prandaj është e rëndësishme që çdo qytetar të ketë qasje në informacione të sakta dhe në kohë, si dhe të jetë i njohur me procedurat ligjore që kanë të bëjnë me statusin e vendbanimit. Jam i bindur se, në bashkëpunim me vetëqeverisjet lokale, do të sigurojmë që kjo fushatë të arrijë te të gjithë ata për të cilët është e destinuar”, porositi Mitrović.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, dhe zëvendëskryetari i komunës, Ragmi Mustafa, dhanë mbështetje të plotë për realizimin e fushatës informuese, duke theksuar se zbatimi i saj është me rëndësi të madhe për informimin në kohë të qytetarëve për procedurën e pasivizimit të adresave dhe procedurat ligjore.

Ata theksuan se periudha e realizimit të fushatës është zgjedhur mirë, duke pasur parasysh se është në vazhdim sezoni i pushimeve vjetore, kur një numër i madh qytetarësh që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit qëndrojnë në Preshevë. Siç theksuan, kjo përbën një mundësi të mirë që materiali informues dhe mesazhet e fushatës të arrijnë te sa më shumë njerëz, në mënyrë që ata të njihen në kohë me të drejtat, detyrimet dhe procedurat që kanë të bëjnë me pasivizimin e adresave.

Shihni më shumë

Arkivi i artikujve

Më të fundit