09.11.2026.

Puna me shoqatat

Mbështetja e iniciativave të shoqatave ka qenë një nga prioritetet e Trupit Koordinues gjatë pesë viteve të fundit. Ishim ndër të parët që e njohëm domosdoshmërinë e krijimit të partneritetit me shoqatat. Dihet se shoqatat, përmes projekteve dhe aktiviteteve, kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin e shoqërisë dhe në vendosjen e vlerave demokratike, dhe kanë mundësi të arrijnë te të gjitha shtresat e popullsisë. Prandaj, gjatë pesë viteve të fundit, në partneritet me vetëqeverisjet lokale, kemi shpallur konkurse për ndarjen e mjeteve për nxitjen e programeve ose të pjesës së munguar të mjeteve për financimin e programeve me interes publik që realizohen nga shoqatat në territorin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Konkurset e Shërbimit të Trupit Koordinues kishin për qëllim:

  1. Ngritjen e kapaciteteve të shoqatave dhe organizatave të shoqërisë civile në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë përmes realizimit të projekteve me rëndësi për qytetarët e tri komunave;
  2. Krijimin e një klime bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet të gjitha komuniteteve etnike që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë;
  3. Nxitjen e aktivizmit rinor, realizimin e projekteve rinore dhe përfshirjen e të rinjve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në rrjedhat shoqërore në nivel lokal;
  4. Bashkëpunimin dhe ndërlidhjen e shoqatave nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja;
  5. Ngritjen e nivelit të njohurive të aktivistëve të sektorit joqeveritar në fushat me rëndësi për shoqërinë civile;
  6. Nxitjen e projekteve në fushat e kulturës (teatrit, filmit, letërsisë, punëtorive letrare, artit figurativ) dhe të arsimit joformal;
  7. Nxitjen e arsimimit të popullsisë;
  8. Afrimin e të rinjve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja me bashkëmoshatarët nga pjesët e tjera të Republikës së Serbisë;
  9. Përmirësimin e kushteve të jetesës së personave me nevoja të veçanta.

Konkurset janë shpallur në bazë të Konkluzionit të Qeverisë së Republikës së Serbisë për pranimin e Programit për mjetet për nxitjen e programeve ose të pjesës së munguar të mjeteve për financimin e programeve me interes publik që realizohen nga shoqatat në territorin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Të gjitha mjetet për programet dhe projektet sipas këtij Programi janë siguruar me Ligjin për buxhetin e Republikës së Serbisë. Procedurën e ndarjes së mjeteve e ka zbatuar komisioni të cilin e ka formuar drejtoresha me Vendim, ndërsa Vendimin për shumën dhe ndarjen e mjeteve e merr drejtoresha me propozimin e komisionit. Në punën e komisionit kanë marrë pjesë përfaqësues të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Të drejtë pjesëmarrjeje në konkurset për Shoqata kishin vetëm organizatat që janë të regjistruara në territorin e Republikës së Serbisë, që janë të regjistruara në regjistrin e organit kompetent dhe që qëllimet e tyre statutore i kanë realizuar në njërën nga fushat në të cilat realizohen programet dhe projektet me qëllimet e përcaktuara në konkurset e Shërbimit të Trupit Koordinues.

Po i paraqesim kriteret më të rëndësishme për përzgjedhjen e projekteve:

  1. cilësia, origjinaliteti, aktualiteti dhe rëndësia e projekteve për përmirësimin e gjendjes në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë;
  2. formulari i buxhetit që garanton realizueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e projekteve;
  3. kapacitetet për udhëheqjen e projekteve dhe programeve përmes referencave adekuate;
  4. rezultate qartësisht të matshme në raport me shpenzimet e propozuara, të cilat do të përcaktohen në Udhëzimet e konkursit;
  5. përvoja në realizimin e projekteve në fushat e përmendura në këtë program;
  6. gatishmëria për të ndërtuar marrëdhënie partneriteti me sektorin publik dhe joqeveritar dhe me qytetarët, si dhe shkalla e suksesit në realizimin e aktiviteteve të projektit, nëse kanë marrë më parë mjete për realizimin e projekteve

Të gjitha shoqatat të cilave u është miratuar shfrytëzimi i mjeteve, pas propozimit të komisionit të konkursit dhe vendimit të drejtoreshës për ndarjen e mjeteve, ishin të obliguara të nënshkruajnë kontratë me Shërbimin e Trupit Koordinues, me të cilën rregulloheshin saktësisht të drejtat dhe detyrimet e palëve kontraktuese, mënyra e realizimit të programit dhe mënyra e raportimit për mjetet e shpenzuara. Kontrata për shfrytëzimin e mjeteve të pakthyeshme parashikonte detyrimin e shfrytëzuesit të mjeteve që t’i kthejë mjetet e ndara në buxhetin e Republikës së Serbisë, në rast të shfrytëzimit të tyre jo sipas qëllimit. Raste të tilla Shërbimi i Trupit Koordinues nuk ka pasur në përvojën e tij pesëvjeçare gjatë ndarjes së mjeteve, realizimit dhe kontrollit të programeve me interes publik që realizohen nga shoqatat në territorin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

SHPËRNDARJA E MJETEVE SIPAS VITEVE:

Gjatë vitit 2009 Shërbimi i Trupit Koordinues shpalli dy konkurse për ndarjen e mjeteve për projektet e shoqërisë civile dhe për mbështetjen e mediave. Komisionin për përzgjedhjen e projekteve e përbënin nga një përfaqësues nga secila komunë dhe tre përfaqësues të Shërbimit të Trupit Koordinues. Trupi Koordinues në vitin 2009 për projektet e shoqatave dhe mediave miratoi 5.984.740,50 dinarë. Gjithsej u mbështetën 21 projekte të shoqatave dhe mediave.

Gjatë vitit 2010 Shërbimi i Trupit Koordinues shpalli tri konkurse për ndarjen e mjeteve për projektet e shoqërisë civile dhe për mbështetjen e mediave. Komisionin për përzgjedhjen e projekteve e përbënin nga një përfaqësues nga secila komunë dhe tre përfaqësues të Shërbimit të Trupit Koordinues. Trupi Koordinues në vitin 2010 për projektet e shoqatave dhe mediave miratoi 19.146.035,19 dinarë. Gjithsej u mbështetën 54 projekte të shoqatave dhe mediave.

Gjatë vitit 2011 Shërbimi i Trupit Koordinues shpalli tri konkurse për ndarjen e mjeteve për projektet e shoqërisë civile. Komisionin për përzgjedhjen e projekteve e përbënin nga një përfaqësues nga secila komunë dhe tre përfaqësues të Shërbimit të Trupit Koordinues. Trupi Koordinues në vitin 2011 për projektet e shoqatave miratoi 13.723.027,00 dinarë. Gjithsej u mbështetën 28 projekte të shoqatave.

Gjatë vitit 2012 Shërbimi i Trupit Koordinues shpalli tri konkurse për ndarjen e mjeteve për projektet e shoqërisë civile dhe për mbështetjen e mediave. Komisionin për përzgjedhjen e projekteve e përbënin nga një përfaqësues nga secila komunë dhe përfaqësues të Shërbimit të Trupit Koordinues. Në tri konkurse Shërbimi i Trupit Koordinues miratoi 7.789.880,00 dinarë. Gjithsej u mbështetën 22 projekte të shoqatave dhe mediave.

Gjatë vitit 2013 Shërbimi i Trupit Koordinues shpalli një konkurs për ndarjen e mjeteve për projektet e shoqërisë civile. Komisionin për përzgjedhjen e projekteve e përbënin nga një përfaqësues nga secila komunë dhe përfaqësues të Shërbimit të Trupit Koordinues. Në një konkurs Shërbimi i Trupit Koordinues miratoi 698.500,00 dinarë. Gjithsej u mbështetën 2 projekte të shoqatave.

Në periudhën gusht 2009 – prill 2013 janë mbështetur gjithsej 127 projekte të shoqatave dhe mediave nga këto tri komuna dhe janë ndarë gjithsej 47.342.182,69 dinarë.

Projektet e shoqatave kanë kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e tri komunave. Pa dashur të veçojmë asnjë projekt, theksojmë se gjatë pesë viteve të fundit kemi mbështetur një varg projektesh nga fushat e kulturës dhe informimit, sportit, barazisë gjinore, aktivizmit rinor, mësimit të gjuhës serbe si gjuhë jo amtare, dhe ndërlidhjes së pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme etnike që jetojnë në jug të Serbisë. Shoqatat, me ndihmën e mjeteve që kanë fituar në konkurs, kanë organizuar shfaqje dhe punëtori teatrale, trajnime për gazetarë, vizita studimore dhe shumë aktivitete të tjera që kanë përmirësuar cilësinë e jetës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Shërbimi i Trupit Koordinues, në partneritet me programin PBILD të Kombeve të Bashkuara, organizoi në javën e parë të qershorit të vitit 2011 edhe një trajnim katërditor për përfaqësuesit e organizatave joqeveritare nga këto tri komuna të jugut të Serbisë. Fokusi ishte te organizatat, projektet e të cilave merren me zgjidhjen dhe adresimin e çështjeve të të rinjve.

Trajnimi kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve dhe avancimin e njohurive dhe shkathtësive të organizatave rinore në punën në programe nga fusha e politikave kulturore dhe arsimore, dhe e të drejtave të pakicave dhe atyre gjinore. Një pjesë e trajnimit iu kushtua edhe temave si cikli i projektit, puna në ekip dhe rolet në ekip.

Çfarë është shoqata?

Sipas dispozitave të Ligjit për shoqatat (në tekstin e mëtejmë: Ligji), shoqata është organizatë vullnetare dhe joqeveritare jofitimprurëse e bazuar në lirinë e bashkimit të disa personave fizikë ose juridikë, e themeluar për realizimin dhe avancimin e një qëllimi dhe interesi të caktuar të përbashkët ose të përgjithshëm, të cilët nuk janë të ndaluar me Kushtetutë ose me Ligj. Një nga liritë e garantuara me Kushtetutë është edhe liria e bashkimit. Kjo liri është garanci juridike e ndërlidhjes së disa personave, nga e cila lind shoqata.

TRAJNIM PËR PËRFAQËSUESIT E SEKTORIT CIVIL

NË KËTË LINK MUND TË GJENI INFORMACIONE SHTESË PËR KONKURSET E SHËRBIMIT TË TRUPIT KOORDINUES