Një nga partnerët e Qeverisë së Republikës së Serbisë, Trupit Koordinues dhe komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është komuniteti ndërkombëtar. Që nga viti 2001 e deri më sot, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, përmes shumë projekteve, kanë kontribuar në zhvillimin e infrastrukturës së tri komunave, kanë investuar në zhvillimin e potencialeve ekonomike dhe kanë financuar projekte që kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Trupi Koordinues synon që çdo projekt të realizohet në partneritet ndërmjet aktorëve kryesorë – Qeverisë së Republikës së Serbisë, komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe organizatave ndërkombëtare. Kjo qasje është dëshmuar jo vetëm e arsyeshme, por edhe ajo që sjell rezultatet më të mira.
Trupi Koordinues e njeh rëndësinë e bashkëpunimit të hapur dhe të vazhdueshëm me komunitetin ndërkombëtar. Kemi marrë pjesë në të gjitha projektet e mëdha të ndihmës ndërkombëtare, nga programet e Kombeve të Bashkuara MIR 1, MIR 2, PBILD, deri te programi EU PROGRES. Së bashku kemi iniciuar nisma dhe kemi hartuar aktivitete që u përgjigjen më së miri nevojave të popullsisë lokale.
Me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar janë realizuar projekte me rëndësi kyçe për zhvillimin e komunave. Përveç projekteve të mëdha të përmendura më sipër, të rëndësishme janë edhe investimet e donatorëve bilateralë, të cilët mbështesin projekte në fusha që i konsiderojnë të rëndësishme për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Trupi Koordinues, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, punon në mënyrë aktive për të hartuar zgjidhjet më të mira për adresimin e problemeve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Projektet që kemi realizuar me partnerët ndërkombëtarë kanë pasur për qëllim përmirësimin e situatës në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, arsimit, kujdesit shëndetësor, politikës sociale, barazisë gjinore, rinisë, sportit dhe shumë fushave të tjera me rëndësi kyçe.
Përveç kësaj, Trupi Koordinues me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar diskuton edhe për çështje politike, zgjidhja e të cilave kontribuon në avancimin e të drejtave të pjesëtarëve të komunitetit serb, shqiptar dhe rom në tri komunat. Misioni i OSBE-së në Serbi, përmes zyrës së tij në Bujanoc, koordinon një pjesë të aktiviteteve të komunitetit ndërkombëtar në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Komunikimi i Trupit Koordinues me Misionin e OSBE-së, si dhe me të gjithë partnerët e tjerë ndërkombëtarë, është i vazhdueshëm dhe ka kontribuar në mënyrë vendimtare në hartimin e një sërë projektesh zhvillimore gjatë trembëdhjetë viteve të fundit.
