Komuna e Preshevës i përket Rrethit të Pçinjës dhe shtrihet në një territor prej 264 km², afër kufirit me Maqedoninë dhe në korridorin ndërkombëtar E-10, i cili lidh Beogradin – Shkupin – Selanikun – Athinën. Përveç bërthamës urbane që përbën qendrën komunale, komuna përfshin edhe 35 vendbanime.
Ekzistojnë dy rrëfime për prejardhjen e emrit të këtij vendi. Sipas disave, emri Preshevë përbëhet nga dy fjalë: presh – që do të thotë pras, dhe eva – që në latinisht do të thotë fushë, që do të thoshte fushë për kultivimin e prasit. Të tjerët mendojnë se toponimi Preshevë e ka prejardhjen nga gjuha hungareze dhe do të thotë man i egër. Asnjëri nga dy pohimet e paraqitura nuk është konfirmuar.
Në kuadër të komunës së Preshevës është hapur Zyra për zhvillim ekonomik lokal, me qëllim të zvogëlimit të varfërisë dhe rritjes së numrit të të punësuarve. Aktiviteti kryesor i kësaj zyre është krijimi i një ambienti të favorshëm për investime, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike dhe fuqizimit të kësaj komune të rrënuar ekonomikisht. Një nga prioritetet afatgjata të vetëqeverisjes lokale është ndërtimi i zonës industriale.
Komuna ka potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit rural, të gjuetisë dhe atij tranzit. Në zhvillimin e turizmit do të ndikojë ndjeshëm edhe ndërtimi i Korridorit 10.
Në Preshevë ekziston një institucion parashkollor me disa paralele në fshatrat përreth, tetë shkolla fillore dhe dy shkolla të mesme. Mësimi në gjuhën shqipe zhvillohet në 6 shkolla fillore, në një në gjuhën serbe, ndërsa në SHF „9 Maj“ në fshatin Relan, të cilën e ndjekin nxënës nga të dy komunitetet, mësimi zhvillohet në të dy gjuhët. Komuna e Preshevës ka dy shkolla të mesme – gjimnazin dhe shkollën e mesme teknike.
Jeta kulturore e Preshevës lidhet kryesisht me manifestimet në shtëpinë e kulturës „Abdullah Krashnica”. Që nga viti 1992, çdo qershor organizohet festivali i krijimtarisë kulturore shqiptare (folklor, dramë, poezi dhe prozë). Në ndërtesën e Shtëpisë së Kulturës gjenden biblioteka, kinemaja, zyrat e shoqatave të qytetarëve dhe TV Presheva.
Në këtë komunë ka disa organizata joqeveritare që me aktivitetin e tyre ndikojnë në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të qytetarëve. Organizatat joqeveritare në Preshevë shihen si potenciali më i madh në burime njerëzore. Personat e angazhuar vlerësohen si të arsimuar, të profilizuar në njohuri, entuziastë dhe fleksibilë në punë, me frymë kritike, novatorë dhe të aftë të reagojnë shpejt ndaj problemeve të vërejtura në shoqëri.
Projekt i rëndësishëm i kësaj komune është ndërtimi i maternitetit jashtëspitalor, në të cilin do të lindin gratë nga kjo zonë. Në vitin 2014 komuna do të fitojë një ndërtesë moderne, të pajisur me pajisjet më bashkëkohore, në të cilën do të lindin brezat e rinj.
Prezantimi në internet i komunës së Preshevës: www.presevo.rs
Plani strategjik i komunës së Preshevës Shkarkoni dokumentin
Prezantimi mbi potencialet ekonomike të komunës së Preshevës “Për një të ardhme më të mirë”
