Komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës bëjnë pjesë në grupin e zonave të pazhvilluara dhe karakterizohen, ndër të tjera, nga një shkallë e lartë papunësie dhe varfërie. Duke pasur parasysh këtë, Trupi Koordinues ka hartuar një sërë programesh që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të këtyre tri komunave. Synimi ynë është, para së gjithash, të ndihmojmë më të rinjtë dhe t’u sigurojmë sa më shumë mundësi për arsimim të pandërprerë dhe cilësor. Përmes këtyre programeve përpiqemi të ofrojmë mbështetje për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, si dhe për studentët nga këto tri komuna.
Të gjitha programet, Shërbimi i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, i zbaton në bazë të Programit për shpërndarjen dhe përdorimin e mjeteve për realizimin dhe avancimin e të drejtave sociale dhe të pakicave, si dhe veçorive të tyre në territorin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ky Program miratohet çdo vit kalendarik nga Qeveria e Republikës së Serbisë me Konkluzion përkatës.
Për nxënësit e shkollave fillore, çdo 1 shtator sigurojmë një dhuratë simbolike. Të gjithë nxënësve të klasës së parë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë u dhurojmë çanta shkollore, të pajisura me mjetet shkollore të nevojshme për të shkruar shkronjat dhe numrat e parë – fletore, këllëf lapsash, goma, kompasa, vizore, lapsa dhe ngjyra druri. Deri më tani kemi gëzuar pesë gjenerata të nxënësve të klasës së parë dhe prindërit e tyre, përkatësisht mbi 5.500 fëmijë. Për këtë aktivitet, Shërbimi i Trupit Koordinues ka ndarë deri më tani 15.245.199,72 dinarë.
Për nxënësit e shkollave të mesme nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Shërbimi i Trupit Koordinues, që nga viti 2009, ndan bursa në vlerë prej 6.000,00 dinarësh në muaj. Bursat paguhen gjatë gjithë vitit shkollor, nga shtatori deri në qershor. Ndër kriteret më të rëndësishme për përfitimin e bursës janë: të ardhurat e prindërve ose kujdestarëve, suksesi i nxënësit në shkollë, si dhe fakti nëse nxënësi i ka të dy prindërit. Që nga viti 2009 janë ndarë gjithsej 1.205 bursa, ndërsa Shërbimi i Trupit Koordinues ka investuar për këtë program gjithsej 45.754.082,00 dinarë. Komisioni për përzgjedhjen e bursistëve përbëhet nga përfaqësues të Shërbimit të Trupit Koordinues dhe të tri komunave.
Gjatë tre viteve të fundit, Shërbimi i Trupit Koordinues ka zhvilluar intensivisht edhe projekte në fushën e arsimit të lartë. Në Medvegjë, në vitin 2009, u hapën degët e Fakultetit Juridik dhe Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Nishit. Studentëve të nacionalitetit shqiptar u kemi siguruar përkthimin e shumicës së teksteve mësimore për tre vitet e para të studimeve nga gjuha serbe në gjuhën shqipe. Çdo vit janë ndarë edhe bursa të njëhershme në vlerë prej 7.000 dinarësh për studentët që kanë plotësuar kushtet për regjistrimin në vitin pasues të studimeve.
Në vitin 2011, Fakulteti Ekonomik i Suboticës, pjesë e Universitetit të Novi Sadit, hapi degën e tij në Bujanoc. Për studentët e kësaj dege u siguruam përkthimin e teksteve universitare në gjuhën shqipe për ato lëndë për të cilat, sipas planprogramit të fakultetit, mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Me mbështetjen e projektit PBILD pajisëm laboratorin kompjuterik të kësaj dege, ndërsa Shërbimi i Trupit Koordinues siguroi edhe mobiliet e nevojshme për funksionimin normal të institucionit.
Veçanërisht veçojmë programin e ndarjes së bursave për të rinjtë nga Presheva dhe Bujanoci për studime në Universitetin e Novi Sadit. Kur e filluam këtë projekt tre vjet më parë, pak kush besonte se do të kishte mjaft të interesuar, veçanërisht duke pasur parasysh se studimet në Novi Sad zhvillohen ekskluzivisht në gjuhën serbe. Deri më tani, 44 të rinj nga Presheva dhe Bujanoci, kryesisht nga komuniteti serb dhe ai shqiptar, janë regjistruar në fakultetet e Universitetit të Novi Sadit. Këtë vit jemi veçanërisht të kënaqur që edhe pjesëtari i parë i komunitetit rom ka fituar bursë për studime në Novi Sad.
Bursistët përfitojnë një bursë mujore në vlerë prej 45.000 dinarësh, e cila shërben për pagesën e shkollimit, në rast se studenti është me vetëfinancim, për blerjen e librave dhe për mbulimin e shpenzimeve të jetesës në Novi Sad.
Procedura për përzgjedhjen e bursistëve është si vijon: çdo vit, në muajin mars, shpallet konkursi për aq bursa sa parashikohen në buxhetin e Shërbimit të Trupit Koordinues për atë vit. Kështu, në vitin e parë u ndanë 11 bursa, në vitin e dytë 21, ndërsa në vitin e tretë 12 bursa. Komisioni për përzgjedhjen e bursistëve përbëhet nga përfaqësues të Shërbimit të Trupit Koordinues dhe të komunave Preshevë dhe Bujanoc. Të drejtën për bursë e fitojnë vetëm kandidatët e përzgjedhur që kalojnë provimin pranues, ndërsa bursistët e humbin të drejtën e bursës nëse nuk plotësojnë kushtet për regjistrimin në vitin vijues të studimeve. Në fund të vitit 2013, në Novi Sad studionin dhe jetonin 32 bursistë. Me të gjithë bursistët mbajmë kontakte të rregullta dhe ata shprehin kënaqësi të madhe për mundësinë që u është ofruar.
Përveç mbështetjes që ofrojmë në fushën e arsimit, Shërbimi i Trupit Koordinues u siguron komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë mjete financiare për funksionimin e vetëqeverisjeve lokale, si dhe ndan ndihma të njëhershme për familjet në gjendje të vështirë sociale. Deri më tani kemi siguruar gjithashtu ndihmë të njëhershme për furnizimin me mazut për komunat, si edhe për Spitalin Special “Bujanovačka Banja”.
Përmes programeve të ndihmës sociale, Shërbimi i Trupit Koordinues u siguron qytetarëve të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kushte më të mira jetese në fushat e arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.
