09.11.2026.

Arsimi i lartë

Shërbimi i Trupit Koordinues është i përkushtuar ndaj zhvillimit dhe mundësimit të qasjes në arsimin e lartë në jug të Serbisë. Me qëllim që të plotësohen nevojat e qytetarëve të tri komunave për vazhdimin e shkollimit, fakultetet në Nish dhe Suboticë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, me mbështetjen e Shërbimit të Trupit Koordinues dhe në bashkëpunim me vetëqeverisjet lokale, fillimisht hapën paralelet e Fakultetit Ekonomik dhe të Fakultetit Juridik të Universitetit të Nishit në Medvegjë, e më pas edhe paralelen e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Novi Sadit në Bujanoc.

Profilet shkencore të paraleleve të hapura janë përcaktuar në përputhje me nevojat e shprehura të qytetarëve të këtyre komunave dhe mundësitë e tyre për të gjetur punë, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e vetëqeverisjeve lokale dhe të faktorëve të tjerë të rëndësishëm.

Paralelet e Fakultetit Ekonomik dhe të Fakultetit Juridik të Universitetit të Nishit në Medvegjë

Në tetor të vitit 2009 në Medvegjë u hapën paralelet e Fakultetit Ekonomik dhe të Fakultetit Juridik të Universitetit të Nishit. Studentët nga komuniteti shqiptar i ndjekin ligjëratat me përkthim simultan të siguruar. Atyre u është mundësuar që të gjitha testet dhe kolokuiumet t’i japin në gjuhën amtare, ndërsa Shërbimi i Trupit Koordinues ka siguruar përkthimin e të gjithë librave në gjuhën shqipe.

Shërbimi i Trupit Koordinues ka mundësuar shtypjen e Leksikonit të parë juridik serbisht-shqip, i cili u është shumë ndihmë studentëve të paraleles së Fakultetit Juridik në Medvegjë në përvetësimin e termave juridikë.

Studentët e këtyre dy paraleleve që regjistrojnë vitin e ardhshëm të studimeve, Shërbimi i Trupit Koordinues i ka ndihmuar dy herë në vit me bursa të njëhershme në shumë prej 7.000 dinarësh.

Që nga themelimi, në këto dy paralele janë regjistruar pesë gjenerata studentësh.

Studimi i fizibilitetit mbi zhvillimin e arsimit të lartë në Preshevë dhe Bujanoc

Studimi i fizibilitetit është rezultat i projektit „Reforma e politikës arsimore në jug të Serbisë“, qëllimi i të cilit ishte analiza e sistemit arsimor në Republikën e Serbisë, duke marrë parasysh përvojat krahasuese nga rajoni. Studimi ka parashikuar skenarët e mundshëm të zhvillimit të arsimit të lartë në Bujanoc dhe Preshevë, duke theksuar se ai duhet të zhvillohet brenda kornizës institucionale të Republikës së Serbisë, sipas mundësisë në kuadër të institucioneve ekzistuese të arsimit të lartë në vend.

Versionit përfundimtar të Studimit i paraprinë dy debate publike, në Bujanoc dhe në Beograd, në të cilat u prezantuan përfundimet paraprake. Në debatin ku morën pjesë kryetarët e tri komunave, deputeti Riza Halimi dhe kryetarët e kuvendeve komunale të Preshevës dhe Bujanocit, u paraqitën vërejtje konstruktive për disa nga përfundimet e Studimit, por edhe qëndrimi i shumicës se Studimi është një hap në drejtimin e duhur.

Një nga rekomandimet e Studimit është formimi i një grupi punues që do të angazhohet në punën për hapjen e institucioneve të arsimit të lartë në Bujanoc dhe Preshevë.

Hartimin e studimit e ka iniciuar dhe e ka ndihmuar financiarisht, logjistikisht dhe profesionalisht Shërbimi i Trupit Koordinues, me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, Fondit për Shoqëri të Hapur dhe Fondit Ballkanik për Demokraci.

Studimin e fizibilitetit mund ta shkarkoni këtu

Paralelja e Fakultetit Ekonomik të Suboticës në Bujanoc

Në bazë të rekomandimeve të Studimit të fizibilitetit, ministri i arsimit dhe shkencës në vitin 2010 formoi grupin punues për zgjidhjen e çështjeve në fushën e arsimit të lartë në Bujanoc dhe Preshevë. Grupin punues e përbënin përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Shërbimit të Trupit Koordinues, Këshillit Kombëtar Shqiptar, një ekspert vendor për arsimin e lartë dhe përfaqësues të zyrës së Komisionerit të Lartë për Pakicat Kombëtare nga Haga (OSBE).

Në bazë të rekomandimeve të grupit punues, Fakulteti Ekonomik i Suboticës i Universitetit të Novi Sadit në tetor të vitit 2011 hapi paralelen e fakultetit në Bujanoc. Mësimi në paralele zhvillohet në dy gjuhë: studentët e komunitetit serb dhe rom e ndjekin mësimin në serbisht, ndërsa studentët nga komuniteti shqiptar e ndjekin mësimin edhe në gjuhën shqipe. Fakulteti Ekonomik në Suboticë ka nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tetovës (Republika e Maqedonisë), kështu që mësimin në gjuhën shqipe e zhvillojnë profesorë dhe asistentë nga Tetova. Plani dhe programi mësimor u mundëson studentëve shqiptarë që nga gjithsej 32 lëndë, 14 t’i ndjekin në gjuhën amtare dhe që punimin e diplomës ta shkruajnë në gjuhën shqipe. Për të gjitha këto lëndë Shërbimi i Trupit Koordinues ka siguruar përkthimin e teksteve në gjuhën shqipe. Studentët studiojnë sipas programit të akredituar marketing, ndërsa pritet që edhe dy drejtime të tjera të marrin akreditimin: financa, bankë dhe sigurime dhe agroekonomi dhe agrobiznes.

Dy koordinatorë janë vazhdimisht në dispozicion të studentëve për të gjitha pyetjet gjatë studimeve, përkatësisht për studentët që e ndjekin mësimin në serbisht dhe për studentët që e ndjekin mësimin edhe në gjuhën shqipe.

Sigurimi dhe ruajtja e cilësisë së lartë të mësimdhënies në këtë institucion të arsimit të lartë është një nga prioritetet e të gjithë aktorëve që mbështesin zhvillimin e arsimit të lartë në jug të Serbisë. Prandaj, me propozimin e Zyrës së Komisionerit të Lartë për Pakicat Kombëtare, është formuar Bordi i palëve të interesuara, detyra e të cilit është të japë rekomandime për arritjen e këtij qëllimi. Këtë organ e përbëjnë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Shërbimit të Trupit Koordinues, Fakultetit Ekonomik të Suboticës, komunës së Bujanocit, Këshillit Kombëtar Shqiptar, misionit të OSBE-së, Zyrës së Komisionerit të Lartë për Pakicat Kombëtare, Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe grupit Miqtë e Jugut të Serbisë.

Me interes strategjik është krijimi i kushteve për funksionimin e mëtejshëm të kësaj njësie të arsimit të lartë. Për arritjen e këtij qëllimi, projekti më i rëndësishëm është ndërtimi i ndërtesës së paraleles në Bujanoc. Programi i partneritetit evropian me komunat (EU Progres) është i ngarkuar me hartimin e analizës që do të japë udhëzime për punën e mëtejshme në drejtim të avancimit të arsimit të lartë në Bujanoc.

Bursat për të rinjtë për studime në Universitetin e Novi Sadit

Shërbimi i Trupit Koordinues që nga viti 2011 u jep bursa të rinjve nga komunat Bujanoc dhe Preshevë që dëshirojnë të studiojnë në fakultetet e Universitetit të Novi Sadit. Të drejtë në bursë kanë të rinjtë nga dy komunat e moshës 18 deri në 22 vjeç, të cilët gjatë shkollimit kanë arritur sukses të shkëlqyeshëm ose shumë të mirë.

Në vitin e parë të realizimit të programit të bursave, në konkurs u paraqitën 23 të rinj nga Bujanoci dhe Presheva. Komisioni për ndarjen e bursave përzgjodhi 13 të rinj nga dy komunat, prej tyre 6 nga komuniteti serb dhe 7 nga komuniteti shqiptar. Provimet pranuese i kaluan 11 kandidatë – 6 nga komuniteti serb dhe 5 nga komuniteti shqiptar. Në vitin 2012 në konkurs u paraqitën 46 kandidatë, ndërsa komisioni përzgjodhi 21 prej tyre, nga të cilët 11 kandidatë të kombësisë shqiptare. Provimet pranuese i kaluan 21 kandidatë – 10 nga komuniteti serb dhe 11 nga komuniteti shqiptar. Në vitin 2013 për bursa u paraqitën 52 kandidatë. Provimet pranuese i kaluan 12 kandidatë – 6 nga komuniteti serb, 5 nga komuniteti shqiptar dhe 1 nga komuniteti rom.

Për të gjithë kandidatët nga komuniteti shqiptar, për të cilët serbishtja nuk është gjuhë amtare, Shërbimi i Trupit Koordinues çdo vit organizon kurs të gjuhës serbe, në mënyrë që t’i kalojnë më lehtë provimet pranuese.

Me dhënien e bursave të rinjve nga komunat multietnike në jug të Serbisë është bërë një hap i ri në realizimin e programit të Qeverisë së Republikës së Serbisë për integrimin e tyre të mëtejshëm në jetën shoqërore të vendit.

Projekti është realizuar me mbështetjen e Qeverisë së KA të Vojvodinës, Sekretariatit Krahinor për Arsim, Administratë dhe Bashkësi Kombëtare dhe Rektoratit të Universitetit të Novi Sadit. Këtë iniciativë të Shërbimit të Trupit Koordinues e ka mbështetur edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës.