Komuna e Medvegjës gjendet në Rrethin e Jabllanicës, bën pjesë në radhën e komunave më të pazhvilluara në Republikën e Serbisë dhe shtrihet në një territor prej 524 km². Me qëllim të fuqizimit të potencialeve ekonomike dhe zhvillimit të kësaj komune, është themeluar Zyra për zhvillim ekonomik lokal. Veprimtaria e kësaj zyre bazohet në idenë e zhvillimit të qëndrueshëm të komunës. Më shumë për Zyrën për zhvillim ekonomik lokal mund të gjeni këtu: Zyra për zhvillim ekonomik lokal e komunës së Medvegjës
Është me rëndësi të theksohet se gjatë tri viteve të fundit është bërë përparim i dukshëm në planin e rimëkëmbjes ekonomike të Medvegjës. Si investime të rëndësishme në këtë fushë veçojmë privatizimin e minierës Lecë, në të cilën janë të punësuar afro 400 punëtorë, dhe rimëkëmbjen e fabrikës Termovent për prodhimin e peletit, në të cilën aktualisht janë të punësuar 30 punëtorë, me tendencë rritjeje të numrit të të punësuarve.
Komuna e Medvegjës që nga viti 2007 ka Organizatën Turistike, e cila merret me zhvillimin e turizmit të komunës. Potenciali kryesor turistik i komunës është Banja e Sijarinës. Mjedisi i shëndetshëm dhe ushqimi i shëndetshëm janë karakteristikat e saj të veçanta, ndërsa potencialin më të madh e përbëjnë burimet minerale. Në Banjën e Sijarinës ekziston qendra për rehabilitim „Gejzer“, e cila ofron shërbime shëndetësore dhe turistike.
Komuna e Medvegjës ka një institucion parashkollor, gjashtë shkolla fillore, një shkollë të mesme dhe paralelet e Fakultetit Juridik dhe Ekonomik të Universitetit të Nishit. Numri i përgjithshëm i nxënësve në shkollat fillore është 569, shkollën e mesme e ndjekin 410 nxënës, ndërsa në paralelet e dy fakulteteve studiojnë 75 studentë nga komuniteti shqiptar dhe serb.
Në ndërtesën e shtëpisë së kulturës mbahen manifestime të shumta nga kjo fushë. Në ambientet e këtij institucioni janë vendosur biblioteka dhe radio Medvegja.
Në komunën e Medvegjës janë regjistruar gjithsej 13 shoqata të qytetarëve. Shumica e këtyre shoqatave me aktivitetet e tyre i nxitin të rinjtë drejt aktivizmit dhe ndryshimit të mjedisit në të cilin jetojnë, merren me mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e aktiviteteve në fushën e kulturës dhe sportit dhe nxitjen e të rinjve nga komunitete të ndryshme etnike për bashkëpunim dhe shoqërim të ndërsjellë.
Faqja e internetit e komunës së Medvegjës: www.medvedja.org.rs
Plani strategjik i komunës së Medvegjës Shkarkoni dokumentin
Prezantimi mbi potencialet ekonomike të komunës së Medvegjës “Investoni në perlën e jugut”
