22.09.2026.

TAKIMI I DREJTORIT NË DETYRË TË SHËRBIMIT TË TRUPIT KOORDINUES, NENAD MITROVIĆ, ME PËRFAQËSUESIT E AMBASADËS SË SHBA-SË

  • In Lajme
  • 22. September 2026.
  • 4 Views
TAKIMI I DREJTORIT NË DETYRË TË SHËRBIMIT TË TRUPIT KOORDINUES, NENAD MITROVIĆ, ME PËRFAQËSUESIT E AMBASADËS SË SHBA-SË

Drejtori në detyrë i Shërbimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitrović, u takua sot në Bujanoc me zëvendësshefin e Seksionit Politik të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Serbisë, Pepijn Helgers, dhe me zyrtarin politik Joseph Gayeski.

Për përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së kjo ishte vizita e parë në jug të Serbisë, ndaj takimi me përfaqësuesit e Shërbimit të Trupit Koordinues ishte një mundësi për t’u njohur nga afër me rrethanat aktuale në këtë pjesë të Serbisë, si dhe me aktivitetet që Shërbimi i Trupit Koordinues realizon në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Mitrović prezantoi fushëveprimin e punës së Shërbimit të Trupit Koordinues, programet dhe aktivitetet që realizohen në fusha me rëndësi për komunitetet lokale, si dhe planet për periudhën e ardhshme.

 

Vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua fushatës informuese për pasivizimin e adresave, të cilën Shërbimi i Trupit Koordinues po e realizon në territorin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Mitrović theksoi se një nga qëllimet kryesore të fushatës është që qytetarëve t’u ofrohen informacione të qarta, të verifikuara dhe në kohë lidhur me të drejtat dhe procedurat që kanë të bëjnë me pasivizimin e adresave, si dhe me mundësitë për riregjistrimin e vendbanimit për personat adresat e të cilëve janë pasivizuar. Rëndësi të veçantë ka edhe informimi parandalues i qytetarëve, në mënyrë që ata të njihen me rrethanat që, në përputhje me ligjin, mund të çojnë në pasivizimin e adresës.

Në kuadër të fushatës është përgatitur material informues në gjuhën serbe dhe shqipe, i cili përfshin broshura, postera dhe bilborde. Broshurat përmbajnë informacione mbi procedurën e pasivizimit të adresës, të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve, procedurën e riregjistrimit të vendbanimit, si dhe mjetet juridike në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Posterat do të vendosen në institucionet publike, ndërsa bilbordet janë vendosur në lokacione me frekuentim të lartë në të tri komunat.

 

“Informimi i qytetarëve është parakusht për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Për këtë arsye është e rëndësishme që secili të ketë qasje në informacione të sakta dhe të jetë i njohur me procedurat ligjore që kanë të bëjnë me statusin e vendbanimit. Jam i bindur se, në bashkëpunim me vetëqeverisjet lokale, do të sigurojmë që kjo fushatë të arrijë tek të gjithë ata të cilëve u dedikohet”, deklaroi Mitrović.

Gjatë takimit u diskutua edhe për çështje të tjera me rëndësi për komunitetet lokale, si dhe për aktivitetet që Shërbimi i Trupit Koordinues planifikon të realizojë në periudhën e ardhshme.

 

Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues

Shihni më shumë

Arkivi i artikujve

Më të fundit