24.06.2026.

Arsimi

Një nga prioritetet strategjike të Trupit Koordinues është përmirësimi i cilësisë dhe qasjes në arsim në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Për këtë arsye, Trupi Koordinues, në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe me organizata ndërkombëtare, organizon një sërë projektesh dhe aktivitetesh me qëllim përmirësimin e kushteve për arsimim të pandërprerë dhe cilësor për të gjitha komunitetet që jetojnë në jug të Serbisë.

Spektri i aktiviteteve të përbashkëta përfshin përmirësimin e infrastrukturës në institucionet parashkollore, shkollat fillore dhe të mesme, sigurimin e mjeteve shkollore falas për nxënësit e klasës së parë, monitorimin dhe mbështetjen për sigurimin e teksteve shkollore për mësimin në gjuhën shqipe, bursa për nxënësit e shkollave të mesme, bursa për të rinjtë nga Presheva dhe Bujanoci për studime në Universitetin e Novi Sadit, përmirësimin e cilësisë së mësimit të gjuhës serbe në shkollat fillore, krijimin e mundësive për mësimin e gjuhës serbe për të rinjtë e komunitetit shqiptar përmes “Shkollës së Gjuhës Serbe”, mundësimin e funksionimit dhe zhvillimit të pandërprerë të degëve të Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit Juridik të Universitetit të Nishit në Medvegjë, si dhe të degës së Fakultetit Ekonomik nga Subotica në Bujanoc.