Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq, u takua sot me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arber Pajaziti. Takimi u organizua me rastin e fillimit të realizimit të fushatës informuese për procedurën e pasivizimit të adresave, të cilën e zbaton Shërbimi i Trupit Koordinues.
Gjatë bisedës, Nenad Mitroviq e njoftoi Arber Pajazitin me qëllimet dhe aktivitetet e fushatës, e cila realizohet në kuadër të masës 1.2 – “Identifikimi dhe eliminimi i problemeve në lidhje me mekanizmin për verifikimin e statusit të vendbanimit të pjesëtarëve të pakicave kombëtare”, të paraparë me Planin e Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029.
Qëllimi kryesor i fushatës është që qytetarëve t’u sigurohen informacione në kohë, objektive dhe lehtësisht të qasshme për të drejtat e tyre dhe procedurat në fuqi në lidhje me pasivizimin e adresave. Vëmendje e veçantë i kushtohet informimit të qytetarëve adresat e të cilëve janë pasivizuar për procedurën e riregjistrimit të vendbanimit, përkatësisht kthimin e adresës në status aktiv, si dhe informimit të qytetarëve adresat e të cilëve janë aktive për rrethanat që, në përputhje me ligjin, mund të çojnë në pasivizimin e adresës, në mënyrë që ata të ndërmarrin me kohë hapat e nevojshëm dhe të shmangin pasojat e mundshme negative.
Në kuadër të fushatës janë përgatitur broshurë informative dygjuhëshe, postera dhe billborde në gjuhën serbe dhe shqipe. Broshura shpjegon në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme procedurën e pasivizimit të adresës, kushtet në të cilat mund të ndodhë, pasojat e mundshme, procedurën e riregjistrimit të vendbanimit, përkatësisht kthimin e adresës në status aktiv, si dhe mjetet juridike që u qëndrojnë në dispozicion qytetarëve. Posterët do të vendosen në institucionet publike, ndërsa billbordet janë vendosur në lokacione me frekuentim të lartë në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Qëllimi i kësaj fushate nuk është vetëm t’u ofrojmë qytetarëve informacione të sakta dhe në kohë, por edhe të eliminojmë çdo paqartësi lidhur me procedurën e pasivizimit të adresave. Dëshirojmë që çdo qytetar të jetë i njohur me të drejtat, detyrimet dhe procedurat ligjore, në mënyrë që të mund të mbrojë statusin e tij të vendbanimit. Suksesi i kësaj fushate varet në masë të madhe nga bashkëpunimi i mirë me vetëqeverisjet lokale dhe Këshillin Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, sepse vetëm përmes veprimit të përbashkët mund të sigurojmë që informacionet të arrijnë tek të gjithë qytetarët që kanë nevojë për to”, theksoi ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitroviq.
Takimi në Bujanoc është i pari në një seri bisedimesh që Shërbimi i Trupit Koordinues do të zhvillojë me përfaqësuesit e vetëqeverisjeve lokale dhe institucioneve me qëllim koordinimin e aktiviteteve dhe realizimin me sukses të fushatës informuese. Në ditët në vijim janë planifikuar takime me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Medvegjës, Dragan Kuliq, dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, Enkel Rexhepi.
Shërbimi i Trupit Koordinues pret që, me mbështetjen e vetëqeverisjeve lokale dhe Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, fushata informuese të kontribuojë në informimin më të mirë të qytetarëve dhe në kuptimin e drejtë të procedurës së pasivizimit të adresave, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
















