Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq, u takua me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialog Shoqëror, Demo Berisha, me të cilin shqyrtoi aktivitetet me rëndësi për avancimin e pozitës së pakicave kombëtare, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe realizimin e projekteve prioritare zhvillimore.
Gjatë takimit, Mitroviq e informoi ministrin për zbatimin e fushatës informative mbi pasivizimin e adresave, të cilën Shërbimi i Trupit Koordinues e realizon në përputhje me Planin e Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029.
Mitroviq gjithashtu e njoftoi ministrin me rezultatet e takimit që zhvilloi me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, Enkel Rexhepi, gjatë të cilit u prezantuan kërkesat e Këshillit Kombëtar. Me këtë rast, ai kërkoi mbështetjen e ministrit për organizimin e një takimi të përbashkët të përfaqësuesve të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialog Shoqëror, Shërbimit të Trupit Koordinues dhe Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, me qëllim që të shqyrtohen çështjet e hapura dhe të përcaktohen hapat e mëtejshëm për zgjidhjen e tyre.
Një pjesë e veçantë e bisedës iu kushtua projekteve infrastrukturore në komunën e Preshevës. Mitroviq vuri në dukje rëndësinë e zgjidhjes sa më të shpejtë të projekteve vitale infrastrukturore, të cilat janë të një rëndësie thelbësore për funksionimin e komunitetit lokal, përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e shoqëror të komunës. Ai kërkoi mbështetjen e ministrit Berisha në koordinim me institucionet kompetente shtetërore, me qëllim që të përshpejtohen aktivitetet për realizimin e këtyre projekteve prioritare.
Ministri Berisha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve republikane, Shërbimit të Trupit Koordinues dhe përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, duke nënvizuar se dialogu i hapur është kyç për zgjidhjen e çështjeve me interes për qytetarët dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin e rregullt dhe aktivitetet e përbashkëta me qëllim të zgjidhjes efikase të çështjeve me rëndësi për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe zbatimin e qëndrueshëm të politikave të Qeverisë së Republikës së Serbisë të orientuara drejt përmirësimit të pozitës së pakicave kombëtare.
Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues















