U.d. i drejtorit të Shërbimit të Trupit Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq, është takuar sot me zëvendëskryetarin e komunës së Medvegjës, Rade Peroviq.
Shkak i takimit ishte fillimi i zbatimit të fushatës informuese për procedurën e pasivizimit të adresave, të cilën Shërbimi i Trupit Koordinues e realizon në kuadër të Planit të Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029.
Gjatë takimit u shqyrtuan aktivitetet që do të realizohen në territorin e komunës së Medvegjës, si dhe mënyrat se si vetëqeverisja lokale mund të ofrojë mbështetje me qëllim që informacionet për procedurën e pasivizimit të adresave t’u bëhen të qasshme të gjithë qytetarëve.
Mitroviq theksoi se një nga synimet kryesore të fushatës është që qytetarëve t’u ofrohen informacione të qarta, të verifikuara dhe me kohë mbi të drejtat dhe procedurat që lidhen me pasivizimin e adresave, si dhe për mundësitë e riregjistrimit të vendbanimit për personat adresat e të cilëve janë pasivizuar. Theks i veçantë u vu edhe në informimin parandalues të qytetarëve, në mënyrë që ata të njihen me rrethanat të cilat, në përputhje me ligjin, mund të çojnë në pasivizimin e adresës.
Në kuadër të fushatës është përgatitur material informues në gjuhën serbe dhe shqipe, i cili përfshin broshura, postera dhe bilborde. Broshurat përmbajnë një pasqyrë të procedurës së pasivizimit të adresës, të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve, procedurën e riregjistrimit të vendbanimit, si dhe mjetet juridike të disponueshme për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Posterat do të vendosen në institucionet publike, ndërsa bilbordet janë vendosur në lokacione me frekuencë të lartë në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
„Informimi i qytetarëve është parakusht për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Për këtë arsye është e rëndësishme që gjithkush të ketë qasje në informacione të sakta dhe të jetë i njoftuar me procedurat ligjore që lidhen me statusin e vendbanimit. Jam i bindur se, në bashkëpunim me vetëqeverisjet lokale, do të sigurojmë që kjo fushatë të arrijë tek të gjithë ata të cilëve u dedikohet“, tha Mitroviq.
Zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës, Rade Peroviq, përshëndeti aktivitetet e Shërbimit të Trupit Koordinues dhe shprehu gatishmërinë e komunës për të ofruar mbështetje të plotë në realizimin e fushatës, me qëllim që qytetarët të informohen me kohë për të drejtat dhe procedurat e tyre ligjore.
















