Shërbimi i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për Komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka organizuar sot në Medvegjë ndarjen solemne të kontratave për subjektet ekonomike që kanë fituar të drejtën e subvencioneve sipas Konkursit publik për ndarjen e subvencioneve për subjektet ekonomike në pronësi private për vitin 2026.
Kjo është hera e parë që nga lansimi i Programit të subvencioneve në vitin 2012 që ndarja solemne e kontratave organizohet në komunën e Medvegjës, me çka konfirmohet përkushtimi i Shërbimit të Trupit Koordinues për t’i përfshirë barabarësisht të tri komunat, Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, në aktivitetet dhe programet që realizon.
Në solemnitet mori pjesë edhe zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës, Rade Peroviq, i cili u u drejtua afaristëve të pranishëm, përshëndeti realizimin e Programit të subvencioneve dhe theksoi rëndësinë e masave të këtilla për zhvillimin e ekonomisë lokale, fuqizimin e sipërmarrësisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës në komunën e Medvegjës.
Konkursi publik është shpallur më 3 qershor 2026, ndërsa për realizimin e tij janë ndarë 24.428.000,00 dinarë për bashkëfinancimin e blerjes së pajisjeve dhe makinerive të reja për sipërmarrësit, shoqëritë mikrone dhe të vogla tregtare që kanë potencial për rritje, zhvillim të biznesit dhe punësim të ri.
Në konkurs kanë arritur gjithsej 14 aplikime – gjashtë nga Presheva, shtatë nga Bujanoci dhe një nga Medvegja. Pas procedurës së kryer të verifikimit të rregullsisë formale, pikëzimit dhe rangimit, të drejtën e subvencionimit e kanë fituar dhjetë subjekte ekonomike. Duke pasur parasysh se njëri nga subjektet ekonomike që ka fituar të drejtën e subvencionimit në ndërkohë ka hequr dorë nga lidhja e kontratës, sot janë dorëzuar kontratat për nëntë përfitues, në vlerë të përgjithshme prej 23.948.192,00 dinarësh.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, u.d. drejtori i Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitroviq, theksoi se Shërbimi i Trupit Koordinues tash e katërmbëdhjetë vjet investon vazhdimisht në zhvillimin e sektorit privat dhe se qëllimi bazë i këtij programi është fuqizimi i konkurrueshmërisë së ekonomisë, nxitja e investimeve dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
„Çdo investim i ri, çdo makinë e re dhe çdo vend i ri pune i kontribuojnë zhvillimit ekonomik të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Për këtë arsye, edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë të mbështesim afaristët që dëshirojnë të investojnë, të zgjerojnë biznesin e tyre dhe të punësojnë punëtorë të rinj“, tha Mitroviq.
Me këtë rast, ai falënderoi zëvendëskryetarin e komunës së Medvegjës, Rade Peroviq, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e suksesshëm në organizimin e ndarjes solemne të kontratave, duke theksuar se bashkëpunimi i mirë ndërmjet Shërbimit të Trupit Koordinues dhe komunës së Medvegjës është me rëndësi të madhe për realizimin e programeve zhvillimore dhe krijimin e kushteve më të mira për jetesë dhe punë të qytetarëve.
Programin e ndarjes së subvencioneve Shërbimi i Trupit Koordinues e realizon me sukses që nga viti 2012. Në periudhën prej vitit 2012 deri në vitin 2025 janë ndarë 210 subvencione për subjektet ekonomike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në vlerë të përgjithshme prej 508.006.903,62 dinarësh.
Me ndarjen e sotme të nëntë kontratave, në vlerë prej 23.948.192,00 dinarësh, numri i përgjithshëm i subjekteve ekonomike të mbështetura që nga lansimi i Programit të subvencioneve është rritur në 219, ndërsa vlera e përgjithshme e mjeteve të ndara jorimbursuese ka arritur në 531.955.095,62 dinarë.
Shërbimi i Trupit Koordinues edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë të zbatojë masa për mbështetjen e zhvillimit të ekonomisë në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me qëllim fuqizimin e konkurrueshmërisë së subjekteve ekonomike, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe krijimin e kushteve për vende të reja pune.




















