Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, mori pjesë në Bujanoc në tribunën me temë „Dialogu ndërkulturor dhe ruajtja e identitetit të pakicave kombëtare në jug të Serbisë: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë“, duke theksuar se dialogu ndërkulturor është i një rëndësie vendimtare për integrimin e pakicave kombëtare në rrjedhat shoqërore, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e tyre kulturor, gjuhësor dhe kombëtar.
Ministri, në tribunën e organizuar nga shoqata e gazetarëve „Etika“ nga Bujanoci, tha se dallimet duhet të jenë bazë për ndërlidhje dhe mirëkuptim më të mirë, e jo shkak për ndarje, si dhe se ruajtja e identitetit të komuniteteve pakicë është pjesë përbërëse e ndërtimit të një shoqërie të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.
„Pasuria e traditës, gjuhës dhe trashëgimisë kulturore në jug të Serbisë duhet të shihet si potencial zhvillimor i shtetit tonë dhe në asnjë mënyrë si shkak për ndarje në shoqëri. Qëllimi ynë duhet të jetë një shoqëri në të cilën secili ka të drejtë të ruajë dhe kultivojë identitetin, gjuhën dhe kulturën e tij, por edhe të jetë pjesëmarrës i barabartë në të gjitha rrjedhat shoqërore“, tha ministri Berisha, duke nënvizuar se kjo është thelbi i integrimit dhe dialogut ndërkulturor.
Ai rikujtoi se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, përmes konkurseve publike dhe mjeteve nga Fondi Buxhetor për Pakicat Kombëtare, mbështet programe që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit të pakicave kombëtare.
„Ruajtja e identitetit, barazia dhe integrimi nuk janë qëllime të kundërta, por themeli i një shoqërie në të cilën dallimet përbëjnë një forcë. Prandaj, do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha iniciativat që kontribuojnë në dialog, besim dhe barazi të të gjithë qytetarëve“, deklaroi ministri Berisha.
Tribuna u mbajt në ambientet e Qendrës Kulturore „Vuk Karaxhiq“, ndërsa në mesin e të pranishmëve ishte edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitrović.
Burimi: Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror






















