25.12.2025.

TRUPI KOORDINUES I QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË SHËNOI 25 VJET TË PUNËS SË VAZHDUESHME DHE ZHVILLIMIT TË KOMUNAVE PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË

  • In Lajme
  • 19. December 2025.
  • 39 Views
TRUPI KOORDINUES I QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË SHËNOI 25 VJET TË PUNËS SË VAZHDUESHME DHE ZHVILLIMIT TË KOMUNAVE PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË

Në Banjën e Bujanocit, më 16 dhjetor 2025, u shënua solemnisht 25-vjetori i themelimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – institucion që, që nga themelimi e deri më sot, ka luajtur një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit, përmirësimin e dialogut, forcimin e besimit ndërmjet komuniteteve dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik në jug të Serbisë.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Serbisë, përfaqësues të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, komuniteteve fetare, ndërmarrjeve publike, institucioneve arsimore dhe shëndetësore, si dhe partnerë dhe bashkëpunëtorë afatgjatë të Trupit Koordinues.

Ky jubile ishte një rast për të shqyrtuar rezultatet e 25 viteve të punës, për të prezantuar planet për zhvillimin e ardhshëm, si dhe për të shprehur mirënjohje ndaj individëve dhe institucioneve që, me punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin e tyre afatgjatë, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në misionin dhe rezultatet e Trupit Koordinues.

Kryetari i Trupit Koordinues, dr. Aleksandar Martinović, hapi pjesën zyrtare të programit, duke theksuar vazhdimësinë dhe stabilitetin e institucionit gjatë një çerek shekulli.

“Që nga themelimi e deri më sot, Trupi Koordinues ka mbetur një instrument kyç i politikës shtetërore në jug të Serbisë. Ai përfaqëson një urë lidhëse ndërmjet institucioneve republikane, vetëqeverisjeve lokale dhe qytetarëve, si dhe dëshmi të përkushtimit të përhershëm të shtetit që sfidat të zgjidhen në mënyrë sistematike, të përgjegjshme dhe afatgjatë.

Veçantia e këtij rajoni reflektohet edhe në karakterin e tij multietnik. Pakica kombëtare shqiptare është më e përfaqësuar pikërisht në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Sipas Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2022, në Republikën e Serbisë jetojnë 61.687 pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare, gjë që konfirmon më tej rëndësinë e një politike të bazuar në respektimin e të drejtave, dialog dhe integrim”, tha Martinović.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, theksoi rëndësinë e përmirësimit të mëtejshëm të pozitës së komuniteteve lokale dhe dialogut institucional.
“Ky jubile përfaqëson një mundësi të rëndësishme, jo vetëm për të shënuar datën e themelimit, por edhe për të vlerësuar objektivisht se sa janë realizuar qëllimet për të cilat u themelua Trupi Koordinues”, deklaroi Sinani.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arber Pajaziti, nënvizoi rëndësinë e partneritetit me shtetin dhe vazhdimësinë e mbështetjes nga Trupi Koordinues.
“Për Komunën e Bujanocit është me rëndësi të veçantë vazhdimi i bashkëpunimit të mirë me Trupin Koordinues dhe institucionet republikane, në mënyrë që përmes punës së përbashkët të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët”, u shpreh Pajaziti.

Në emër të Komunës së Medvegjës, u drejtua Rade Perović, nënkryetar i komunës, duke theksuar rezultatet e arritura përmes projekteve dhe bashkëpunimit me shtetin.
“Jam i bindur se edhe në të ardhmen, me mbështetjen e Trupit Koordinues dhe Qeverisë së Serbisë, do të vazhdojmë zhvillimin e këtyre tri komunave dhe do të ecim me sukses në rrugën e përparimit të mëtejshëm”, tha Perović.

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, theksoi rëndësinë e dialogut institucional, respektit dhe bashkëpunimit të të gjithë aktorëve në mjedise multietnike.
“Nuk ka paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim pa dialog, respekt të ndërsjellë dhe përfshirje të të gjithë qytetarëve në proceset shoqërore. Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, së bashku me Trupin Koordinues, vetëqeverisjet lokale dhe partnerët ndërkombëtarë, do të vazhdojë të punojë për ndërtimin e një shoqërie vërtet multietnike dhe demokratike në jug të Serbisë”, theksoi ministri Berisha, duke shtuar se ministria përkatëse do të mbetet edhe më tej një partner i besueshëm i Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kryetari i parë i Trupit Koordinues, dr. Nebojša Čović, kujtoi rrethanat e themelimit dhe rolin fillestar të institucionit.
“Trupi Koordinues u themelua në rrethana jashtëzakonisht të ndërlikuara, me qëllim të qartë që përmes dialogut dhe veprimit institucional të sigurohej paqja dhe stabiliteti në jug të Serbisë”, theksoi dr. Čović, duke vlerësuar se qëllimi për të cilin u themelua Trupi Koordinues është përmbushur me sukses dhe se puna e tij ka vazhduar më pas në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në emër të Shërbimit të Trupit Koordinues u drejtua ushtruesi i detyrës së drejtorit, Nenad Mitrović, duke theksuar përkushtimin institucional, rolin operacional të Shërbimit dhe prioritetet e ardhshme.
“Trupi Koordinues dhe Shërbimi i tij mbeten një mbështetje e fortë e shtetit në jug të Serbisë. Detyrimi ynë është të sigurojmë stabilitet, të forcojmë besimin dhe përmes projekteve konkrete të përmirësojmë cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, deklaroi Mitrović.

Ceremonia u zhvillua në frymën e bashkëpunimit, përgjegjësisë dhe përkushtimit institucional. U shfaq edhe një film i shkurtër, i cili përmes pamjeve arkivore dhe intervistave prezantoi projektet më të rëndësishme, rezultatet dhe njerëzit që kanë shënuar punën e Trupit Koordinues gjatë 25 viteve të fundit.

FILMI PROMOCIONAL:

Gjatë ceremonisë, u ndanë mirënjohje për individë dhe institucione që, me punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin e tyre afatgjatë, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në misionin dhe rezultatet e Trupit Koordinues, duke konfirmuar edhe një herë rëndësinë e partneritetit ndërmjet institucioneve shtetërore, vetëqeverisjeve lokale dhe komuniteteve në terren.

Ky jubile konfirmon vazhdimësinë, përkushtimin dhe partneritetin e Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe thekson vendosmërinë e tij që edhe në të ardhmen të jetë një mbështetje e qëndrueshme, e besueshme dhe e dukshme për vetëqeverisjet lokale dhe qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues

Погледајте још

Најновије

Архива чланака