U.d. i drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq, u takua sot me Elia Boggia-n, këshilltar i lartë i Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare.
Një nga temat e bisedës ishte rëndësia e funksionimit të Degës së Fakultetit Ekonomik nga Subotica në Bujanoc. Mitroviq theksoi rëndësinë e këtij institucioni të arsimit të lartë në Bujanoc, veçanërisht për të rinjtë e kësaj zone, si dhe rolin e tij në krijimin e mundësive më të mira për arsimim dhe avancim profesional të të rinjve.
Gjithashtu u diskutua për fushatën informuese mbi pasivizimin e adresave, të cilën Shërbimi i Trupit Koordinues po e zbaton në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në kuadër të Planit të Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029, të miratuar nga Qeveria e Republikës së Serbisë në maj të vitit 2026.
Mitroviq prezantoi qëllimet e fushatës, e cila synon informimin e qytetarëve për procedurën e pasivizimit të adresave, të drejtat e tyre dhe mundësitë për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me vendbanimin. U theksua veçanërisht rëndësia e informimit në kohë dhe të qasshëm për qytetarët, në mënyrë që ata të jenë të njohur me të drejtat e tyre dhe procedurat që kanë në dispozicion.
Gjatë takimit u diskutua edhe për aktivitetet e tjera të Shërbimit të Trupit Koordinues në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me theks të veçantë në mbështetjen e arsimit, zhvillimin e infrastrukturës dhe fuqizimin ekonomik të komuniteteve lokale.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se vazhdimi i dialogut të hapur ka rëndësi për identifikimin e nevojave të komuniteteve lokale dhe për zgjidhjen më efikase të çështjeve të rëndësishme për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues
















