Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq, u takua sot në Bujanoc me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, Enkel Rexhepi.
Me këtë rast u nënshkrua kontrata për realizimin e projektit „Zërat e traditës“, i cili do të financohet nga mjetet e parashikuara në buxhetin e Shërbimit të Trupit Koordinues në vlerë prej 800.000,00 dinarësh.
Përveç nënshkrimit të kontratës, u diskutua edhe për çështje aktuale me rëndësi për përmirësimin e pozitës së qytetarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe për aktivitetet që Shërbimi i Trupit Koordinues zbaton me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Mitroviq i njoftoi bashkëbiseduesit për fillimin e zbatimit të fushatës informuese për procedurën e pasivizimit të adresave, të cilën Shërbimi i Trupit Koordinues e ka nisur me qëllim informimin në kohë, objektiv dhe transparent të qytetarëve për të drejtat e tyre dhe procedurat në fuqi. Ai theksoi se qëllimi i fushatës është që qytetarëve t’u paraqitet në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme procedura e pasivizimit të adresave, kushtet në të cilat mund të ndodhë, pasojat e mundshme, procedura e riregjistrimit të vendbanimit, përkatësisht kthimi i adresës në status aktiv, si dhe mjetet juridike që u qëndrojnë në dispozicion.

Në kuadër të fushatës është përgatitur një broshurë informative dygjuhëshe, ndërsa posterët do të vendosen në institucionet publike dhe billbordet në lokacione qendrore në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Në postera dhe billborde gjendet një kod QR që u mundëson qytetarëve qasje të drejtpërdrejtë në versionin elektronik të broshurës. Broshurat e shtypura do t’u shpërndahen vetëqeverisjeve lokale, Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare dhe institucioneve publike, ndërsa versioni elektronik do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të Shërbimit të Trupit Koordinues dhe institucioneve të tjera kompetente.

Në takim u diskutua edhe për realizimin e aktiviteteve të parashikuara me Planin në Shtatë Pika, me theks të veçantë në zbatimin e deritanishëm të masave dhe aktivitetet e ardhshme. U theksua se Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Shqiptare, në përputhje me kompetencat e tij, ka një rol të rëndësishëm në zbatimin e masave që lidhen me përmirësimin e pozitës së pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare, si dhe në bashkëpunimin me organet kompetente shtetërore, gjë që paraqet një parakusht të rëndësishëm për realizimin e suksesshëm të aktiviteteve të parashikuara me këtë dokument.
Vëmendje e veçantë iu kushtua punës së Grupit Punues për realizimin e veprimeve detyruese të miratuara në kuadër të Dialogut Shoqëror, të mbajtur më 11 mars 2022 në Bujanoc, me temën „Përfaqësimi/integrimi në institucionet shtetërore“. Mitroviq vuri në dukje rëndësinë e përfshirjes së të gjithë akterëve relevantë në punën e Grupit Punues, duke pasur parasysh se Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Shqiptare deri më tani nuk i ka deleguar përfaqësuesit e tij. Ai theksoi se pjesëmarrja aktive e Këshillit Kombëtar do të kontribuonte në zbatimin më efikas të aktiviteteve që synojnë përmirësimin e përfaqësimit të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në institucionet shtetërore.

Gjatë bisedës u trajtua edhe rëndësia e rolit të Këshillit Kombëtar në informimin e qytetarëve për procedurën e pasivizimit të adresave dhe mundësitë për kthimin e adresave të pasivizuara në status aktiv. Gjithashtu, u diskutua për çështje nga fusha e arsimit, duke pasur parasysh rëndësinë e sigurimit në kohë të teksteve shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave të mesme, si dhe për tema të tjera me interes për pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare.

Në fund të takimit, Mitroviq theksoi se për zgjidhjen e suksesshme të çështjeve me rëndësi për pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare është i nevojshëm dialogu i vazhdueshëm dhe bashkëpunimi institucional me organet kompetente shtetërore. Me këtë rast, ai e ftoi Këshillin Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare që të angazhohet më aktivisht në proceset me interes të përbashkët dhe të kontribuojë në zbatimin e aktiviteteve të parashikuara me Planin në Shtatë Pika, si dhe në iniciativa të tjera që synojnë përmirësimin e pozitës së qytetarëve.
Mitroviq shprehu gatishmërinë e Shërbimit të Trupit Koordinues për të organizuar një takim të përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, me qëllim që përmes dialogut të hapur dhe konstruktiv të shqyrtohen çështjet me interes të përbashkët dhe të përmirësohet bashkëpunimi me institucionet kompetente shtetërore.
Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues
















