06.07.2026.

SHËRBIMI I TRUPIT KOORDINUES NIS FUSHATË INFORMUESE PËR PROCEDURËN E PASIVIZIMIT TË ADRESAVE

  • In Lajme
  • 6. July 2026.
  • 5 Views
SHËRBIMI I TRUPIT KOORDINUES NIS FUSHATË INFORMUESE PËR PROCEDURËN E PASIVIZIMIT TË ADRESAVE

Duke u bazuar në Planin e Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029, të cilin Qeveria e Republikës së Serbisë e miratoi në mbledhjen e mbajtur më 28 maj 2026, Shërbimi i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka filluar zbatimin e

Duke u bazuar në Planin e Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029, të cilin Qeveria e Republikës së Serbisë e miratoi në mbledhjen e mbajtur më 28 maj 2026, Shërbimi i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka filluar zbatimin e një fushate informuese për procedurën e pasivizimit të adresave, me qëllim informimin në kohë, objektiv dhe transparent të qytetarëve për të drejtat e tyre dhe procedurat në fuqi.

Fushata realizohet në kuadër të masës 1.2 – Identifikimi dhe eliminimi i problemeve lidhur me mekanizmin për verifikimin e statusit të vendbanimit të pjesëtarëve të pakicave kombëtare, të paraparë me Planin e Veprimit. Në kuadër të aktivitetit 1.2.1, Shërbimi i Trupit Koordinues merr pjesë si partner në hartimin e hartës së procesit të pasivizimit të adresave, ndërsa në kuadër të aktivitetit 1.2.2 është bartës i hartimit të disa broshurave informative shumëgjuhëshe për mekanizmin e pasivizimit të adresave dhe mjetet juridike në dispozicion.
Duke pasur parasysh ankesat gjithnjë e më të shpeshta të përfaqësuesve të pakicës kombëtare shqiptare lidhur me procedurën e pasivizimit të adresave të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në territorin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Shërbimi i Trupit Koordinues ka njohur nevojën për t’u siguruar qytetarëve informacione të qarta, të verifikuara dhe lehtësisht të qasshme, të bazuara në rregulloret në fuqi të Republikës së Serbisë. Qëllimi i fushatës është që procedura e pasivizimit të adresave të paraqitet në mënyrë objektive dhe transparente, me qëllim që të shmangen paqartësitë dhe qytetarëve t’u mundësohet mbrojtja në kohë e të drejtave të tyre.

Në kuadër të fushatës janë përgatitur një broshurë informative shumëgjuhëshe, postera dhe billborde, të cilat do të jenë në dispozicion të qytetarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Broshura shpjegon në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme procedurën e pasivizimit të adresës, kushtet në të cilat mund të ndodhë pasivizimi, pasojat e mundshme, procedurën e riregjistrimit të vendbanimit, përkatësisht kthimin e adresës në status aktiv, si dhe mjetet juridike që u qëndrojnë në dispozicion qytetarëve. Posterët do të vendosen në institucionet publike, ndërsa billbordet do të vendosen në lokacione qendrore në të tri komunat.

Në postera dhe billborde gjendet një kod QR, përmes skanimit të të cilit qytetarët mund të qasen drejtpërdrejt në versionin elektronik të broshurës informative dygjuhëshe. Në këtë mënyrë mundësohet qasje e shpejtë dhe e thjeshtë në të gjitha informacionet relevante për procedurën e pasivizimit të adresave, të drejtat e qytetarëve dhe mjetet juridike në dispozicion.
Broshurat do t’u shpërndahen komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare dhe institucioneve publike në këto tri komuna, ndërsa versioni elektronik i broshurës do të jetë i disponueshëm edhe përmes faqes së internetit të Shërbimit të Trupit Koordinues dhe institucioneve të tjera kompetente.
Shërbimi i Trupit Koordinues vlerëson se bëhet fjalë për një fushatë me interes të jashtëzakonshëm publik, që synon t’u mundësojë qytetarëve informim në kohë dhe gjithëpërfshirës për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave të tyre. Rëndësia e veçantë e fushatës qëndron në nevojën që qytetarët të njihen me pasojat e pasivizimit të vendbanimit dhe mënyrat e mbrojtjes së të drejtave të tyre, në mënyrë që të shmangin pasojat e mundshme negative për statusin e tyre juridik dhe qasjen në të drejtat dhe shërbimet që i realizojnë si qytetarë të Republikës së Serbisë.
Me realizimin e këtij aktiviteti, Shërbimi i Trupit Koordinues zbaton obligimet e parashikuara me Planin e Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029, duke kontribuar në informimin më të madh të qytetarëve, transparencën e punës së institucioneve dhe realizimin më efikas të të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues

Shihni më shumë

Arkivi i artikujve

Më të fundit