23.04.2026.

Ekonomia

Trupi Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si bazë të rimëkëmbjes dhe zhvillimit ekonomik të këtyre komunave, ka identifikuar zhvillimin dhe investimin në ekonomi. Prioritetet strategjike janë – rimëkëmbja e ndërmarrjeve që kanë qenë bartëse të zhvillimit në tri komunat, mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sipërmarrësit dhe kooperativat, si dhe tërheqja e investimeve në këto tri komuna.

Sa i përket mbështetjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sipërmarrësit dhe kooperativat, Shërbimi i Trupit Koordinues, në bashkëpunim me komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Odën Ekonomike të Serbisë, në vitin 2012 ka hartuar një program për ndarjen e mjeteve të pakthyeshme për afaristët në këto tri komuna. Qëllimi i këtij programi është mbështetja e zhvillimit të potencialeve ekonomike të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe rritja e prodhimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, sipërmarrësve dhe kooperativave bujqësore. Mjetet janë të destinuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sipërmarrësit dhe kooperativat bujqësore që kanë seli në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në bazë të këtij programi, në nëntor të vitit 2012, Shërbimi i Trupit Koordinues shpalli konkurs për ndarjen e subvencioneve në vlerë prej 40 milionë dinarësh për të tri komunat. Konkursi u realizua nga një komision në të cilin morën pjesë përfaqësues të Shërbimit të Trupit Koordinues, përfaqësues të komunave dhe ekspertë të pavarur të fushës së ekonomisë. Nga 40 afaristë që aplikuan, 15 prej tyre përfituan mjete: 7 nga komuna e Bujanocit, 5 nga komuna e Preshevës dhe 3 nga komuna e Medvegjës.

Në vitin 2013, Shërbimi i Trupit Koordinues shpalli sërish konkurs për ndarjen e subvencioneve në vlerë prej 60 milionë dinarësh. Pas përfundimit të konkurseve, gjithsej 22 afaristë përfituan mjete: 10 nga komuna e Bujanocit, 8 nga komuna e Preshevës dhe 4 nga komuna e Medvegjës.

Në buxhetin e Shërbimit të Trupit Koordinues për vitin 2014, për këtë qëllim janë ndarë 60 milionë dinarë.

Zbatimi i programit për ndarjen e subvencioneve ka rëndësi strategjike për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Rezultatet e konkurseve të realizuara janë rritja e numrit të të punësuarve, fuqizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, sipërmarrësve dhe kooperativave bujqësore për lidhje më efikase në tregun lokal, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar, përmirësimi i prodhimit me qëllim të rritjes ekonomike, rritja e konkurrueshmërisë në tregjet vendore dhe të huaja, si dhe zhvillimi i prodhimit të destinuar për eksport ose zëvendësimin e importit.

Si vazhdim i aktiviteteve për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe tërheqjen e investimeve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në prill të vitit 2013, Trupi Koordinues organizoi Panairin e parë të potencialeve investuese.

Në organizimin e këtij panairi, përveç Trupit Koordinues, morën pjesë edhe Oda Ekonomike e Serbisë, komunat dhe Zyrat për zhvillim ekonomik lokal të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Në panair, komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë prezantuan potencialet ekonomike dhe mundësitë për investim në këto tri komuna. Pjesëmarrësit patën mundësi të zhvillojnë biseda të drejtpërdrejta me partnerë të mundshëm – fonde investimi, institucione lokale, organe shtetërore, subjekte të tjera ekonomike dhe banka.

Gjatë panairit u organizua edhe një tryezë e rrumbullakët me temë “Programi i mbështetjes shtetërore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme – burimet e financimit”, ku morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Vetëqeverisjes Lokale, Agjencisë Kombëtare për Zhvillim Rajonal dhe Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovimin e Eksportit të Republikës së Serbisë. Përfaqësuesit e këtyre institucioneve konfirmuan përkushtimin për zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e këtyre komunave më pak të zhvilluara në jug të Serbisë qendrore.

Rimëkëmbja e ndërmarrjeve që kanë qenë bartëse të zhvillimit ekonomik në këto tri komuna është jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë në jug të Serbisë. Që nga fillimi i vitit 2013, Trupi Koordinues ka qenë i angazhuar në realizimin e aktiviteteve për ringjalljen e ish-shtyllës së zhvillimit ekonomik të Bujanocit, ndërmarrjes shoqërore “Gumoplastika”. “Gumoplastika” është themeluar në vitin 1959 dhe merret me përpunimin e plastikës, gomës, metalit dhe prodhimin e këpucëve.

Ndaj kësaj ndërmarrjeje është hapur procedurë falimentimi në vitin 1998. Me përpjekje të përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Trupit Koordinues, “Gumoplastika” pas 15 vitesh doli nga falimentimi dhe filloi një fazë të re të biznesit si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Hapi i radhës i Trupit Koordinues dhe komunës së Bujanocit është gjetja e një investitori me qëllim ringjalljen e aktivitetit prodhues të kësaj ndërmarrjeje.

Zhvillimi ekonomik i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është prioritet kyç i Trupit Koordinues dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë.