25.12.2025.

SHËRBIMI I TRUPIT KOORDINUES NDAU GATI 17 MILIONË DINARË SUBVENCIONE PËR BIZNESMENËT NGA PRESHEVA, BUJANOCI DHE MEDVEGJA

  • In Lajme
  • 14. November 2025.
  • 44 Views
SHËRBIMI I TRUPIT KOORDINUES NDAU GATI 17 MILIONË DINARË SUBVENCIONE PËR BIZNESMENËT NGA PRESHEVA, BUJANOCI DHE MEDVEGJA

Në ceremoninë e dorëzimit të kontratave morën pjesë kryetari i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, dr. Aleksandar Martinoviq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitroviq, si dhe përfaqësuesit e vetëqeverisjeve lokale – shefja e kabinetit të kryetarit të komunës Bujanoc, Albulljena Osmani, shefi i kabinetit të kryetares së komunës Preshevë, Besim Shabani, dhe zëvendëskryetari i komunës Medvegjë, Rade Peroviq.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitroviq, theksoi rëndësinë e subvencioneve të ndara për ekonominë lokale, duke vënë në dukje veçanërisht nevojën që ndërmarrësit t’i kushtojnë vëmendje kushteve të konkursit dhe të përgatisin me kohë dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që sa më shumë prej tyre të përfitojnë nga mbështetja financiare. Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të komunave që në konkurset e ardhshme të marrin një rol më aktiv, duke pasur parasysh se ata janë më së afërmi me ndërmarrësit dhe i njohin më mirë nevojat e tyre.

Dr. Aleksandar Martinoviq theksoi se kushtet e biznesit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk janë të njëjta, prandaj është e domosdoshme që Shërbimi i Trupit Koordinues, vetëqeverisjet lokale dhe ndërmarrësit të punojnë së bashku për përmirësimin e kushteve ekonomike në këto mjedise.

“Ne kemi biseduar edhe me ambasadoren e Gjermanisë edhe me ambasadorin e Japonisë për mundësinë e sjelljes së investitorëve më të mëdhenj në këtë rajon, i cili është tejet i bukur dhe ka njerëz punëtorë e të përkushtuar. Detyra jonë është të krijojmë kushte për punësim, sepse hapja e vendeve të reja të punës dhe forcimi i ekonomisë do të zvogëlojë hapësirën për ide të ndryshme politike që nxisin përplasje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Ne duam t’i mbajmë të rinjtë në këto komuna dhe t’i inkurajojmë ata që janë larguar të kthehen”, tha dr. Martinoviq.

Me ndarjen e këtyre mjeteve, Shërbimi i Trupit Koordinues vazhdon të zbatojë aktivitete të orientuara drejt përmirësimit të kushteve për punë dhe zhvillim të ekonomisë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke krijuar kështu parakushte për përparim afatgjatë ekonomik dhe shoqëror të këtij rajoni.

Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues

Погледајте још

Најновије

Архива чланака