Ngjarja përmbyllëse e projektit “Qyteti ynë, shkollat tona”, i cili realizohet nga Shërbimi i Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në bashkëpunim me Grupin 484, me mbështetjen e Fondacionit për Fëmijë “Pestalozzi” nga Zvicra dhe Ministrisë së Arsimit, shënoi solemnisht përfundimin e ciklit nëntëvjeçar të aktiviteteve të fokusuara në përmirësimin e arsimit interkulturor dhe bashkëpunimit ndërshkollor.
Gjatë nëntë viteve të zbatimit të projektit janë arritur rezultate të rëndësishme:
-
më shumë se 5.000 nxënës dhe nxënëse kanë pasur mundësinë të mësojnë në një mjedis arsimor më cilësor dhe më gjithëpërfshirës;
-
400 mësues dhe mësuese kanë përmirësuar kompetencat e tyre profesionale përmes trajnimeve, punëtorive dhe mbështetjes mentoruese;
-
200 nxënës kanë marrë pjesë në një shkëmbim interkulturor në Zvicër;
-
janë realizuar 25 orë të përbashkëta mësimore në gjuhën serbe dhe shqipe, çka përfaqëson një arritje të veçantë të projektit;
-
janë botuar tre publikime të dedikuara zhvillimit dhe përmirësimit të arsimit interkulturor.

Pjesë veçanërisht emocionale dhe simbolike e ngjarjes ishte shfaqja e një filmi të shkurtër, përmes të cilit u prezantuan momentet më të rëndësishme të projektit, dëshmitë e nxënësve dhe mësuesve, si dhe zhvillimi i iniciativave të përbashkëta gjatë të gjitha fazave të tij.

Pjesëmarrësit e ngjarjes theksuan se njerëzit janë burimi kryesor i çdo procesi zhvillimor dhe se puna në partneritet dhe besimi i ndërsjellë përbëjnë bazën e ndryshimeve të qëndrueshme në komunitetet lokale.

Përfaqësuesit e Komunës së Bujanocit dhe të Administratës Shkollore të Leskovcit shprehën gatishmërinë që të mbështesin vazhdimin e zbatimit të modeleve të zhvilluara të bashkëpunimit, si dhe ruajtjen afatgjatë të rezultateve të arritura.

Projekti “Qyteti ynë, shkollat tona” lë themele të forta për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis shkollave, promovimin e dialogut dhe ndërtimin e një komuniteti të bazuar në respekt, solidaritet dhe mësim të përbashkët.
VIDEO PREZANTIMI:
Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues











